Secondary Adv

Trump shpall luftë ekonomike ndaj Iranit, kërcënon me sanksione çdo vend që e ndihmon

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një ofensivë të re ekonomike ndaj Iranit, duke paralajmëruar se edhe vendet, institucionet financiare dhe bizneset që vazhdojnë t’i ofrojnë mbështetje Teheranit do të përballen me pasoja të rënda ekonomike.

Trump e cilësoi nismën si një “luftë ekonomike” dhe premtoi një nivel të paprecedentë izolimi ndaj Iranit.


Në një deklaratë të publikuar në Truth Social, Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin atë që ai e përshkroi si operacionin më të ashpër ekonomik të zhvilluar ndonjëherë kundër një vendi. Sipas tij, Irani kishte pasur mundësinë për të arritur një marrëveshje me Uashingtonin, por nuk e kishte shfrytëzuar atë.


“Askush nuk i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit një mundësi më të madhe sesa unë për të arritur një marrëveshje. Fatkeqësisht për ta, ata nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë atë. Prandaj, sot po njoftoj operacionin më shkatërrues ekonomik të ndërmarrë ndonjëherë kundër ndonjë vendi. Kjo do të jetë luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të paparë”, shkroi Trump.


Paralajmërim për bankat, bizneset dhe qeveritë

Trump paralajmëroi veçanërisht institucionet financiare, bizneset, aeroportet dhe strukturat shtetërore të vendeve të tjera që mund t’i ofrojnë Iranit mbështetje ekonomike. Sipas tij, çdo përpjekje për t’i siguruar Teheranit një “linjë shpëtimi” do të përballet me pasoja të rënda ekonomike.


“Marina e tyre është zhdukur, forca e tyre ajrore është shkatërruar, fabrikat e tyre ushtarake janë në rrënoja, monedha e tyre është e pavlerë dhe vendi i tyre varet nga një fije. Gjithashtu po njoftoj sot se çdo vend që lejon institucionet e tij financiare, bizneset, aeroportet ose entitetet qeveritare të ofrojnë çdo lloj mbështetjeje jetësore për Iranin do të përballet gjithashtu me pasoja të rënda ekonomike”, deklaroi Trump.


Presidenti amerikan kërkoi ndërprerjen e kontrabandës së naftës, linjave të shkëmbimit, transfertave të parave të gatshme, ndërmjetësimit në këmbimet valutore, regjistrave të transportit detar dhe përdorimit të kompanive fasadë për të mbështetur Iranin.


“Kontrabanda e naftës, linjat e shkëmbimit, transfertat e parave të gatshme, ndërmjetësit e këmbimit, regjistrat e transportit detar, kompanitë fasadë - të gjitha këto duhet të ndalen menjëherë. Ju e dini kush jeni. Kjo do të jetë një ‘D-Day’ ekonomike dhe ne kemi nevojë që të gjithë aleatët tanë të qëndrojnë me Shtetet e Bashkuara për të izoluar dhe mposhtur kërcënimin iranian. Këta maniakë janë në litarë dhe këto masa historike do t'i paralizojnë ata, duke i penguar ata të përhapin terror në të gjithë botën. Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”, tha ai.


Trump nuk bëri të ditura masat konkrete apo sanksionet që administrata amerikane synon të vendosë, por përsëriti se çdo shtet që lejon institucionet e tij financiare, bizneset, aeroportet apo institucionet qeveritare të ofrojnë “mbështetje jetike të çdo lloji” për Iranin do të përballet me pasoja ekonomike.


Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta

Kërcënimi i ri vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë akuzuar Iranin për lëshimin e dy raketave balistike drejt territorit të tyre, pretendim që Teherani e ka mohuar.


Në përgjigje, Abu Dhabi njoftoi pezullimin e të gjitha shkëmbimeve tregtare dhe transaksioneve financiare me Iranin deri në një njoftim të mëtejshëm.


Ndërkohë, Ngushtica e Hormuzit vazhdon të jetë një nga pikat më të ndjeshme të konfliktit për shkak të rëndësisë së saj për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit. Irani ka këmbëngulur se ngushtica nuk do të hapet pa përmbushjen e angazhimeve të pretenduara nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Uashingtoni ka kundërshtuar çdo përpjekje për kufizimin e lundrimit ndërkombëtar.


Bllokohen përpjekjet diplomatike

Përpjekjet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit duken aktualisht të bllokuara. Trump ka deklaruar se nuk ka bisedime të planifikuara me Iranin, ndërsa pala iraniane ka kritikuar presionin amerikan dhe atë që e cilëson si ndërhyrje të huaj në rajon.


Në këtë klimë të tensionuar, administrata amerikane po shqyrton forcimin e presionit ekonomik ndaj Iranit, ndërsa Teherani paralajmëron se çdo mbështetje për operacionet amerikane mund të konsiderohet pjesëmarrje në konflikt.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat